Paralajmërohet protestë në Hagë, në përkrahje të Thaçit e të tjerëve
Një qytetar me emrin Hektor Beqiri përmes një njoftimi në Facebook ka ftuar qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë t’i bashkohen protestës në Hagë të Holandës, aty ku do të filloj shqyrtimi gjyqësor ndaj Thaçit e të tjerëve.
Shqyrtimi do të filloj me datë 3 prill. Edhe protesta e thirrur në përkrahje të krerëve të UÇK-së do të filloj në këtë datë me fillim nga ora 10:00, deri në orën 13:00.
Postimi i tij:
UÇK, UÇK, UÇK...
Më 3 prill, nga ora 10:00 deri në orën 13:00, mblidhemi në përkrahje të liderëve të luftës dhe paqes, në rrugën “Laan van Reagan en Gorbatsjov”, Den Haag, Niederlande.
Bashkohuni edhe ju me ne!
Në ditën e nisjes së gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, bashkohemi në Hagë për të kërkuar drejtësi dhe për t’i thënë mjaft politikës dhe diskriminimit.
Bashkohemi në Hagë për të kërkuar nga Gjykata Speciale që të mos i barazojë viktimat me kriminelët, sepse Kosova ishte viktimë dhe Serbia agresore.
Bashkohemi në Hagë, sepse jemi zëri i popullit të Kosovës! Sepse, UÇK-ja është nderi i shqiptarëve!
Bashkohemi, sepse edhe ne jemi Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexhepi, Saliu, Pjetri, Hysniu e Nasimi! Edhe ne jemi UÇK-ja!
Bashkohemi për të kërkuar LIRI për ata që na e sollën LIRINË!
Diasporë, ti ke zë, bashkohu në Hagë më 3 prill 2023.
Ne s’kemi heronj për të sakrifikuar!