Paralajmërohet dimër i vështirë për kosovarët sa i përket furnizimit me rrymë
Kosovën mund ta pres dimër i vështirë sa i përket furnizimit me energji elektrike. Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) u ka bërë thirrje qytetarëve të kursejnë energjinë e zgjidhje të gjejnë në forma të tjera të ngrohjes nëpër vendet ku ata jetojnë.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, po potencon se kriza energjetike evropiane ka prekur edhe Kosovën. Ai ka thënë se rritja e kërkesës në njërën anë dhe zvogëlimi i prodhimit në anën tjetër, ka bërë që në gjithë Evropën të fluturojnë çmimet e rrymës”.
“Çmimi i energjisë për një ditë më herët në berzën e Hungarisë- HUPX, që ishte 295 EUR/MËh, për javën 4-10 korrik, u rrit në 348 EUR/MËh, kurse për javën 11-17 korrik dhe në 419 EUR/MËh për javën 18-24 korrik . Për 3 ditët e para të kësaj jave çmimi është 506 EUR/MËh. Madje, këto ditë është thyer edhe rekordi, duke arritur një moment në mbi 735 EUR/MËh. Kjo situatë ka afektuar edhe Kosovën. Pos çmimeve enorme, nevoja për energji elektrike ka kufizuar ndjeshëm edhe mundësitë tregtare. Në tenderët që kemi zhvilluar së fundmi, në shumicën e rasteve nuk kemi pranuar asnjë ofertë. Në rast oferte shfaqen çmime ekstra të larta sipas kushteve të tregut”, thuhet në reagim të KEDS-it.
“Krijimi i këtyre situatave qysh verës, bën që të mbizotërojë një situatë shumë e pasigurt”, ka deklaruar KEDS-i.
“Prandaj, në këto rrethana i lusim konsumatorët që të krijojnë mekanizma kursimi dhe të orientojnë ngrohjen e hapësirave të tyre të banimit nga format alternative për stinën e dimrit. Ndërmarrja e këtyre veprimeve ul ndjeshëm nevojën për import dhe rrit të njëjtën kohë sigurinë e furnizimit, që varet shumë edhe nga stabiliteti i prodhimit vendor”, thuhet më tej në reagim.
Kriza energjetike ka prekur botën që nga dimri që përfundoi. Çmimet u shumëfishuan edhe si pasojë e luftës në Ukrainë. Kosova gjatë dimrit importoi me çmim më të lartë se zakonisht, ndërsa si pasojë u shtrenjtuan edhe tarifat.