Paralajmërohen protesta kundër shtrenjtimit dhe reduktimeve të rrymës
Reduktimet me energji elektrike pritet të vazhdojnë të paktën deri më 25 gusht, derisa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka rekomanduar KEK-un që të sigurojë energjinë e nevojshme. E qytetarët në anën tjetër kanë paralajmëruar edhe protestë kundër reduktimeve dhe shtrenjtimit të rrymës.
Aktivisti Visar Dili që nga e shtuna ka nisur kundërshtimin për dyfishimin e vlerës së tarifave të rrymës.
Ai dhe shumë qytetarë, përmes platformës online kanë paralajmëruar edhe protestë para institucioneve përkatëse.
“Qëllimi kësaj nisme nuk është politik por ka të bëjë me vendimin për energji. Kemi mbi 5 mijë qytetarë qe ju kanë bashkuar kësaj nisme (hashtaga). Nëse nuk bëhet ajo, prej shtatorit neve na presin tarifat e shtrenjta. Do të presin për një zgjidhje dhe nëse shohim atëherë shtatori do të jetë me protesta masive”, thotë Visar Dili- aktivist.
Lidhur më gjendjen e krijuar në sistemin energjetik, Komiteti teknik emergjent, pas dy takimesh gjatë së mërkurës, i ka rekomanduar KEK-ut që të sigurojë energjinë e nevojshme për t`i evituar reduktimet për konsumatorët dhe devijimet në rrjetin energjetik.
Në një komunikatë për media thuhet se kjo masë rekomandohet me qëllim të tejkalimit të situatës me furnizim me rrymë, që do të zgjasë deri më 25 gusht, raporton televizioni publik.