Paralajmërimi për shtrenjtim të rrymës, sot mbahet protesta e parë
Organizata “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, në bashkëpunim me “Përpjekja”, sot pritet të mbajnë protestën kundër paralajmërimit për shtrenjtimin e rrymës.
Në njoftimin e organizatorëve janë treguar arsyet e protestës.
Sipas njoftimit, protesta do të zhvillohet sot nga ora 13:00.
Pika e grumbullimit është paraparë të jetë pranë objektit të KEDS-it, ndërsa marshimi do të vazhdojë deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
“Që nga viti 2022, faturat e rrymës shtrejtohen në baza vjetore. KEDS-i kërkon rritje të faturave, ndërsa ZRrE-ja, si të ishte argat i tyre, ia aprovon çdo kërkesë në kurriz të popullit. Sot qytetarët/et e Kosovës nuk paguajnë vetëm koston e rrymës: ne paguajmë për humbjet e KEDS-it, paguajmë për keqmenaxhimin e tyre, paguajmë për etjen e tyre të pafund e për çdo gabim që ata bëjnë, krejt kjo vetëm për t’i siguruar që xhepat e tyre të vazhdojnë të trashen në kurrizin tonë. Në shkëmbim ne prapë kalojmë ditë pa rrymë, me mosfurinizim të bollshëm, pa ngrohje në ditë dimri e me shtrenjtime të vazhdueshme të çdo aspekti të jetës sonë si pasojë e rritjes së çmimit të rrymës. Pas rritjes prej 16.1% që na u bë në mënyrë grabitqare nga ZRrE-ja vitin e kaluar, edhe sivjet po na paralajmërohet një vjedhje tjetër, tash diku 20%. Kjo hile e radhës prapë po i bashkon institucione publike e private që për ta pasuru KEDS-in po na e kthejnë kamxhikun neve, për të na rrjepë deri në cent të fundit”, është thënë në njoftimin e këtyre organizatave.