Paparaci: Të afërmit e tre gjyqtarëve në listën e ngushtë për punësim në Prokurorinë e Apelit
Rezultatet e testit me shkrim, të cilat janë publikuar 27 nëntor, tregojnë se tre familjarë shumë të afërt të tre gjyqtarëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë e kanë kaluar testin dhe janë në listën e ngushtë prej 14 kandidatëve të suksesshëm.
14 kandidatët e parë janë kualifikuar për fazën tjetër, atë të intervistës me gojë, përmes plotësimit të kriterit për vlerësim me mbi 35 % të pikëve, raporton paparaci.
“Kandidatët e përfshirë në këtë listë të cilët kanë 35% pikë e më shumë në testin me shkrim, do të ftohen me kohë për pjesëmarrje në intervistë me gojë”, thuhet në dokumentin e rezultateve të testit me shkrim, të publikuar nga Këshilli Prokurorial.
E renditur e para në listë është Ibadete Veliqi-Ajvazi, bashkëshortja e gjyqtarit Alban Ajvazi, i cili është gjykatës në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton Paparaci.

Veliqi-Ajvazi, e para në testin me shkrim në këtë konkurs, jo më larg se një javë doli e fundit nga 24 kandidatë në një konkurs tjetër: atë të shpallur nga Prokuroria Speciale e Kosovës për dy pozita të bashkëpunëtorëve profesionalë. Por, atje ka dal me rezultate tjera.
Në konkursin e Prokurorisë Speciale, bashkëshortja e gjyqtarit Ajvazi, mori 23.8 pikë në testin me shkrim – më pak se të gjithë 23 kandidatët e tjerë në listë. Rezultatet e këtij testimi janë shpallur të premten e 8 dhjetorit.

Por, në konkursin e shpallur nga Sekretariati i KPK-së, ajo ndodhet në anën tjetër të renditjes: e para. Është vlerësuar me 59.6 pikë.
Në këtë konkurs, e gjashta në listë është një tjetër e afërme me një gjyqtar të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Iliriana Makolli-Gashi, bashkëshortja e gjyqtarit të Departamentit të Përgjithshëm të Themelores në Prishtinë, Eroll Gashit, është vlerësuar me 45 pikë dhe ndodhet në mesin e kandidatëve që do t’i nënshtrohen testit me gojë për tri pozitat e lira si bashkëpunëtor profesional në Prokurorinë e Apelit.
Dhe, në vendin e 13-të prej 14 kandidatëve që ndodhen në listën e ngushtë, ndodhet edhe Nderim Çerkini, djali i gjyqtares Suzana Çerkini.
Sikurse Ajvazi dhe Gashi, edhe Çerkini është gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Çerkini është pjesë e Departamentit për Krime të Rënda në këtë gjykatë.
Nderim Çerkini është vlerësuar me 35.8 pikë në testin me shkrim.