Pamje: Policia "zbarkon" në oborrin e IML-së, pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit
Tri vetura të policisë sapo kanë hyrë në oborrin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, ish-aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Gazetari i Nacionales, Vullnet Krasniqi, ka qëndruar te objekti i IML-së në Prishtinë, prej ku ka thënë se deri më tani tri vetura të policisë kanë “zbarkuar” atje.

Megjithatë, askush nga zyrtarët e këtij institute nuk ka pranuar që të flasë deri më tani në lidhje me zhvillimet e sotme.
Ndërkohë, të enjten ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se mostrat e ish-aktivistit janë zhdukur.
Me këtë rast, prokuroria ka nisur hetimet gjë që i është konfirmuar Gazetës Nacionale nga kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi.
“E kam njoftuar Kryeprokurorinë e Prokurorisë Speciale, unë jam pushim vjetor. Është duke u marrë Policia dhe Prokuroria me këtë rast. I kemi ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore menjëherë”, ka thënë Kelmendi.
Çfarë tha ministrja Haxhiu?
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se qasje në vendin ku ruheshin epruvetat e rastit Dehari, kanë vetëm tre persona. Si rrjedhojë, ajo tha se mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit.
Për këtë çështje, ajo tha se i ka njoftuar prokurorinë e shtetit dhe policinë.
“Mbrëmë, në orët orët e vona, jam lajmëruar se janë zhdukur disa mostra nga laboratori i toksikologjisë, që funksionon në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë e një akt kriminal. Për këtë arsye, mbrëmë i kanë njoftuar drejtorin e policisë dhe kryeprokurorin e shtetit. Neraksat-Mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Nga këto, instituti dy epruveta me gjak ia ka dhënë institutit zviceran. Sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit. Në vendin ku ruhen epruvetat, kanë qasje vetëm tre persona”- ka thënë Haxhiu.
Ajo shtoi më tej se i di emrat e personave që kishin qasje në vendin ku ruheshin epruvetat.
“Unë i di emrat e personave që kanë qasje, por s’mund t’i them ata, sepse të njëjtit i dinë policia dhe prokuroria.”
Më tej, ministrja u shpreh që dyshon se kjo ka qenë e planifikuar, por se, megjithatë, “fjalën e fundit do ta thotë prokuroria.”
“Nuk jam eksperte që të tregoj se a e dëmton rastin apo jo, vetëm jam e thirrur të tregoj një gjendje faktike” – vazhdoi ajo.
Tutje, ministrja Haxhiu ka deklaruar se ky “akt i rëndë është vërejtur dje gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në ata të rinj”.
“Ne besojmë se ky akt i rëndë e kriminal, që ka ndodhur në ambientet që do të duhej të ishin të mbrojtura e të sigurta brenda IML-së, ka për qëllim ta dëmtojë edhe më tutje këtë proces dhe të na veshë neve me përgjegjësi. Ky akt i rëndë është vërejtur dje gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në ata të rinj. Situata e krijuar është tepër e rëndë. Të vendosë hije dyshimi në gjithë IML-në, por edhe në veprimtarinë e tij”- tha ajo.
Ministrja sot gjatë ditës e ka vizituar edhe Institutin e Mjekësisë Ligjore.

