Pamje: Messi shënon gol mahnitës nga gjuajtja e lirë
Lionel Messi ka kaluar në epërsi PSG ndaj Nice.
Ylli argjentinas shënoi mjeshtërisht nga gjuajtja e lirë në minutën e 28-të. Portierit kundërshtar nuk iu dha rasti as të lëvizte. Krejt çfarë bëri ishte ta shihte trajektoren e topit që po përfundonte në cepin e sipërm të djathtë të portës së tij.
Ky ishte goli i 5-të i Lionel Messit në edicionin e sivjem të kampionatit. Ndër të tjera, ai ka regjistruar edhe 7 asiste në sezonin 2022/2023 të Ligue 1. Atij i mungon vetëm një gol për t'i barazuar statistikat e shënimit në Ligue 1 gjatë edicionit të kaluar, ku zhgënjeu me vetëm 6 gola.
Megjithatë, me Galtier në krye të stolit është rikthyer në elementin e vet. Forma e mirë e lojtarit magjik është vërejtur edhe gjatë grumbullimit të fundit me Argjentinën, ku shënoi katër gola në dy ndeshje.
Tifozët e Argjentinës kaluan në dëlir pas paraqitjeve të beniaminit të tyre në fitoret ndaj Hondurasit dhe Xhamajkës.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë pritet ta luajë Botërorin e fundit të tij në karrierë gjatë këtij viti. Argjentina është pjesë e grupit C së bashku me Poloninë dhe Meksikën.
Për Messin ky Botëror është tejet i rëndësishëm, pasi do të bëjë përpjekjen e fundit për ta ngritur lart atë trofe, i cili është i vetmi që i mungon në karrierën e tij aq të papërsëritshme dhe të veçantë.