Pallaska: Shqipëria veproi brenda mandatit të saj për rezolutën kundër Dick Martyt - NACIONALE

Pallaska: Shqipëria veproi brenda mandatit të saj për rezolutën kundër Dick Martyt

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Avokati i ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, Dastid Pallaska, ka thënë se Shqipëria veproi brenda mandatit të vet në raport me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës me votimin e rezolutës që synon të hedhë poshtë raportin e Dick Martyt.

“Përkundër faktit që kjo rezolutë e trajton raportin e Dick Martyt dhe pretendimet e tij për trafikim me organe njerëzore, mendoj se qëllimi kryesor i kësaj rezolute ka qenë që Shqipëria t’i përgjigjet një detyrimi ndërkombëtar që e kishte marrë pas miratimit të raportit të Dick Martyt në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, tha Pallaska në Klan Kosova.

Pallaska tha se duke qenë se në raportin e Dick Martyt pretendohej se krimet ishin kryer në Shqipëri, Këshilli i Evropës i kishte kërkuar Shqipërisë që të kontribuojë në procesin e hetimit të këtyre pretendimeve.

“Nëse shikohet rezoluta me të cilën është pranuar raporti i Dick Martyt, në fund të rezolutës Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës u bën thirrje tri shteteve, përkatësisht tri apo katër entiteteve, duke u kërkuar atyre që të japin kontributin e tyre për ndriçimin dhe hetimin dhe më pastaj edhe gjykimin e këtyre pretendimeve nëse mblidhen prova kredibile dhe në mesin e atyre shteteve është edhe Shqipëria, kjo për arsye se pretendimet e raportit të senatorit Dick Marty kishin të bënin me krime të cilat pretendoheshin se ishin kryer në territorin e Shqipërisë dhe pas luftës së Kosovës, kjo ishte mbase edhe arsyeja përse ish-kryeprokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavi Karla Del Ponte kishte refuzuar t’i ndiqte këto pretendime me arsyetimin se ishin jashtë fushëveprimit territorial dhe kohor të mandatit të saj, i cili ishte i kufizuar me luftën në ish-Jugosllavi”, tha Pallaska.

Lajme të ngjashme