Palestinezëve në fshatin e rrethuar nga kolonët izraelitë u thuhet të largohen nga shtëpitë - NACIONALE

Palestinezëve në fshatin e rrethuar nga kolonët izraelitë u thuhet të largohen nga shtëpitë

1 orë më parë

nga NACIONALE

Rreth dhjetë familjeve palestineze në një fshat të Bregut të pushtuar Perëndimor u është thënë që të largohen nga pronat e tyre gjatë një operacioni ushtarak izraelit për largimin e kolonëve izraelitë.

Kolonët i kanë rrethuar banorët në tri shtëpi në atë zonë nga e diela, duke ua shkëputur furnizimin me rrymë dhe ujë, raporton televizioni BBC.

Kryetari i fshatit Qusra, Abdel Azim Wadi, tha se ky vendbanim është shpallur zonë e mbyllur ushtarake dhe forcat izraelite po i përdorin disa nga shtëpitë e boshatisura palestineze si baraka. Ushtria izraelite tha se qëllimi është që “të mbrohen banorët”.

Një zëdhënës izraelit i tha BBC-së se veprimi i kolonëve është “për keqardhje” dhe “i papranueshëm” dhe se qeveria do të zhvillojë hetim dhe do t’i arrestojë personat përgjegjës për rastin.

“Ushtria izraelite është duke vepruar kundër kësaj dhe ne jemi duke e hetuar atë dhe do t’i arrestojmë ata që janë përgjegjës e do t’i ndjekim penalisht” – tha zëdhënësi David Mencer.

Kolonët kanë marrë guxim nga zgjerimi i shpejtë i vendbanimeve nën pushtetin e qeverisë aktuale izraelite, duke çuar në rritje dramatike të dhunës nga kolonët, përderisa ata po mundohen që t’i largojnë palestinezët nga tokat e tyre.

Të gjitha këto vendbanime janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.

Nga tri shtëpitë e familjeve të rrethuara në Qusra, ku banojnë familjet Abu Ridi dhe Hassan, banorëve të dy prej tyre iu tha që të largoheshin të enjten, i thanë ata BBC-së, duke shtuar se atyre që u është thënë të largohen tashmë janë vendosur në shtëpinë e tretë.

Lajme të ngjashme