Pakistani raporton për të paktën 26 civilë të vrarë nga sulmet e forcave indiane
India e sulmoi Pakistanin dhe pjesën e Kashmirit që administrohet nga Pakistani të mërkurën. Një zëdhënës ushtarak pakistanez tha se të paktën 26 civilë u vranë e 46 të tjerë u plagosën.
India tha se goditi zona të “infrastrukturës terroriste” pakistaneze, disa prej tyre të lidhura me një sulm të kryer nga militantët ndaj turistëve hindusë, ku mbetën të vrarë 26 njerëz në Kashmirin indian muajin e kaluar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Pakistani tha se në shënjestër të sulmeve nga forcat indiane ishin gjashtë lokacione dhe se asnjëra nga to nuk ishin kampe të militantëve.
Një burim indian i tha agjencisë “Reuters” se forcat indiane i sulmuan selitë qendrore të grupeve militante islamike, “Jaish-e-Mohammed” dhe “Lashkar-e-Taiba”.
“India ka treguar vetëpërmbajtje të konsiderueshme në përzgjedhjen e caqeve dhe metodës së ekzekutimit” – tha në një deklaratë Ministria e Mbrojtjes e Indisë.