Pak ditë para fillimit të mësimit, ministria ende pa përfunduar çështjen e teksteve shkollore
Kanë mbetur vetëm pak ditë deri në fillimin e vitit të ri shkollor, por Ministria e Arsimit dhe Shkencës ende nuk e ka përfunduar procesin e negocimit të çmimeve të teksteve mësimore.
Në një komunikatë drejtuar prindërve dhe kujdestarëve ligjorë, ministria u ka bërë thirrje atyre që të mos nxitojnë me blerjen e librave dhe materialeve shkollore, pasi katalogu përfundimtar me titujt dhe çmimet ende nuk është publikuar.
Sipas ministrisë, pas përfundimit të negociatave me shtëpitë botuese do të publikohet katalogu përfundimtar dhe do të përcaktohet edhe shuma që do t’i ndahet secilit nxënës për blerjen e librave.
Megjithatë, fakti që kjo çështje mbetet ende e papërfunduar, kur fillimi i procesit mësimor është vetëm pak ditë larg, ngre pikëpyetje për përgatitjet e institucioneve për vitin e ri shkollor. Në vend që prindërit të kenë tashmë të qartë se cilat tekste duhet t’i blejnë dhe sa do të kushtojnë ato, atyre po u kërkohet të presin njoftimin e ministrisë.
MASh ka kërkuar gjithashtu nga libraritë dhe shitësit që të mos fillojnë shitjen e teksteve para përfundimit të procedurave dhe publikimit të njoftimit zyrtar.
Deri atëherë, prindërve u mbetet të presin, ndërsa ministria ende nuk ka përmbyllur një prej detyrave që duhej të ishte gati para fillimit të vitit shkollor.