Paçarizi: Ka përpjekje të orëve të fundit për të peshkuar deputetë për formimin e Qeverisë
Analisti politik Rrahman Paçarizi ka thënë se nuk do të ketë formim të Qeverisë së re të vendit të dielën, më 26 tetor, në seancën e thirrur nga Kuvendi i Kosovës.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ai ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë kontakt direkt me partitë e tjera politike si Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës apo edhe Nismën Socialdemokrate, për të bërë një koalicion qeverisës.
“Pra, as me Partinë Demokratike të Kosovës, as me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Zoti Limaj, pavarësisht se ka pasur propagandë kundër se mund të pranojë e të tjera për shkak të pozicionit të vështirë, sepse ka pak deputetë, Zoti Limaj nuk është personi që nënshtrohet për pak. Ai e ka të qartë se me Dimal Bashën nuk hyn në marrëveshje politike me Lëvizjen Vetëvendosje. Nuk do të duhej asnjë parti të hynte në marrëveshje të tilla, duhet ta lënë Albin Kurtin me Dimal Bashën dhe me Agim Bahtirin”, tha Paçarizi.
Por, profesori tha se ka pasur tendenca tw peshkimit tw deputetwve.
“Ka përpjekje të orëve të fundit për të peshkuar deputetë. Ka përpjekje për të folur, jo gjithmonë për një transaksion direkt financiar; ka përpjekje shumë më finoke, për t’i bindur njerëzit të votojnë. Të dielën mund të ketë përpjekje për të votuar Qeverinë me votim të fshehtë, siç është bërë me Kuvendin. Pastaj kjo të kontestohet dhe të zgjaten procedurat edhe pak. Ndërkohë, lojën mund ta prishë edhe nesër gjatë gjithë ditës Gjykata Kushtetuese”, u shpreh Paçarizi.