Paçarizi: Dëshmia e James Rubin – përshkrimi më realist i periudhës së luftës
Opinionisti Rrahman Paçarizi ka vlerësuar se dëshmia e ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në procesin gjyqësor të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, përbën një pasqyrim të drejtë dhe të qartë të kohës së luftës në Kosovë.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Paçarizi theksoi se Rubin ka sfiduar dy nga pikat më të rëndësishme të aktakuzës: konceptin e “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale” që rëndon mbi katër të akuzuarit dhe pretendimet për lidhje të UÇK-së me rrjete kriminale e trafik droge.
Sipas tij, Rubin i ka rrëzuar këto narracione të cilat, siç tha, janë ushqyer ndër vite nga propaganda serbe dhe janë mbështetur edhe nga autorë të huaj apo shqiptarë që sot mbajnë poste të rëndësishme në institucione.
“Dëshmia e Rubinit ka mbërri me i dekonstruktu dy çështje kryesore. E para, ka sulmuar dhe dekonstruktuar pjesën e aktakuzës që i mvesh me përgjegjësi komenduese katër personat e akuzuar, si drejtues të UÇK-së, duke e quajtur si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, dhe e dyta, Rubin e dekonstrukton edhe këtë lidhjen e UÇK-së me krimin, drogën, shtrëngimet e të tjera, të cilat i kemi parë jo pak herë në punime e shkrime të sponsoruara nga Serbia, me autorë qoftë serbë, qoftë të huaj, por qoftë edhe shqiptarë nëpër pozita tash të larta drejtuese në Kosovë”.
“Dëshmia e James Rubin është përshkrimi më realist dhe më korrekt i asaj periudhe. Pavarësisht se neve mund të na duket se është gati avokat, më shumë sesa dëshmitar, por Rubin është ai i cili po e bën përshkrimin më real të situatës së asaj periudhe dhe për këtë po sulmohet”, tha Paçarizi.