OVL-UÇK dënon ashpër vendimin e Speciales për të refuzuar dëshmitë e krimeve serbe në Kosovë
OVL-UÇK dënon ashpër vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat kanë refuzuar shumicën e provave të paraqitura
Pas raportimit të gaztës Nacionale për vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë për të refuzuar dëshmitë e krimeve serbe në Kosovë, ka reaguar OVL-UÇK.
Kjo organizatë ka dënuar ashpër këtë vendim të Gjykatës Speciale.
përmes një komunikate për media, OVL-UÇK ka vlerësuar ky veprim është i papranueshëm dhe përbën një tjetër dëshmi të qasjes së njëanshme të kësaj gjykate.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e dënon ashpër vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat kanë refuzuar shumicën e provave të paraqitura nga mbrojtja e z. Jakup Krasniqi, prova që dokumentojnë krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Ky veprim është i papranueshëm dhe përbën një tjetër dëshmi të qasjes së njëanshme të kësaj gjykate, e cila po përpiqet ta paraqesë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës jashtë kontekstit të saj historik, duke mohuar krimet që sollën shkatërrim dhe gjenocid në vendin tonë”, është thënë në komunikatën e kësaj organizate.
Sipas OVL-UÇK, kjo është një fyerje për drejtësinë dhe kujtesën historike të Kosovës.
“Të shpallësh të “parëndësishme” dëshmitë për masakrat dhe krimet serbe, do të thotë të mohosh të vërtetën dhe dhimbjen e një populli që luftoi për liri. Kjo është një fyerje për drejtësinë dhe kujtesën historike të Kosovës. Ky vendim i padrejtë është edhe një arsye më shumë për të protestuar dhe për të ngritur zërin kundër kësaj padrejtësie që po u bëhet çlirimtarëve të Kosovës”, është thënë në komunikatë.