Osmani udhëton në Slloveni me ftesë të presidentit Pahor
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Slloveni, në një vizitë zyrtare.
Respektivisht, Osmani u ftua nga homologu i saj slloven Borut Pahor.
“Kjo vizitë do t`i rikonfimoj marrëdhëniet e shkëlqyshme me Slloveninë, teksa me homologun Pahor, në një sërë aktivitetesh të përbashkëta, Presidentja Osmani do t`i diskutoj mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe raporteve ndërshtetërore”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në njoftim gjithashtu bëhet e ditur se Osmani do të ndajë një dekoratë, për ushtrinë sllovene, për kontributin e tyre për paqe dhe siguri në Kosovë.
“Forcave të Armatosura të Sllovenisë, Presidentja Osmani gjatë qëndrimit në këtë shtet do t`ua ndajë një dekoratë për kontributin për paqe dhe siguri në kuadër të misionit të NATO-s në Republikën e Kosovës, në të cilin përgjatë viteve kanë shërbyer mijëra ushtarë slloven”, thuhet tutje në njoftim.