Osmani: Udhëheqja e Ibrahim Rugovës është model të cilin duhet ta kujtojmë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.
Në profilin e saj në “Facebok”, ajo ka shkruar se Rugova ishte ideator i shtetit të pavarur të Kosovës dhe prijës i parë i saj.
Sipas saj, Rugova me urti e dije arriti ta artikulonte politikisht vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të jetuar të lirë.
“Sot shënojmë 2 dhjetorin, ditën e lindjes së Presidentit të parë, historik, të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, njeriut i cili e udhëhoqi popullin e vet drejt lirisë dhe pavarësisë. Presidenti Rugova ishte ideator i shtetit të pavarur të Kosovës e prijës i parë i saj. Me urti e dije të pashoqe, ai arriti ta artikulonte politikisht vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të jetuar të lirë, në tokën e tyre e në shtetin e tyre. Udhëheqja e tij është shembull e model të cilin duhet ta kujtojmë çdo ditë e me të cilin duhet të mishërohemi, në mënyrë që vizionin e Presidentit Rugova për shtet ta bëjmë edhe më kuptimplotë, duke e jetësuar çdo ditë atë”, ka shkruar Osmani.