Osmani tenton të arsyetojë arrestimin e kameramanit të "Paparacit", pretendon "përndjekje" ndaj vajzave të saj - NACIONALE

Osmani tenton të arsyetojë arrestimin e kameramanit të "Paparacit", pretendon "përndjekje" ndaj vajzave të saj

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër pas rastit të paprecedentë, ku kameramani i portalit Paparaci, Jetmir Muji, u ndalua dhe më pas u arrestua nga Policia e Kosovës, pasi paraprakisht ishte penguar nga pjesëtarë të sigurimit të saj të afërt. Muji po kryente detyrën e tij profesionale duke xhiruar në një shkollë private ku mësojnë vajzat e Presidentes.

Në reagimin e saj, Osmani e ka cilësuar si të rrezikshme dhe të paligjshme atë që ajo e quan“përndjekje", për fëmijët krijojnë jo vetëm rrezik fizik, por edhe psikologjik, me pasoja afatgjata.

Ajo tha se vajzat e saj për pesë vite me radhë kanë ndjekur shkollimin në shkollën publike “Ismail Qemali” në Prishtinë, duke përballuar kushte të vështira infrastrukturore, dhe, sipas saj asnjëherë nuk është raportuar nga mediat për këtë fakt.

“Përgjatë këtyre pesë viteve, sikurse edhe nxënësit e tjerë në këtë shkollë, edhe vajzat e mia janë përballur me probleme me kanalizime, ndërprerje të ujit, rrymës e ngrohjes, bllokada totale të toaleteve, mungesë pastrimi për muaj të tërë, mungesë sigurie në shkollë (me rreth 4 mijë nxënës në shkollë, rreth 40 nxënës në një klasë), konfiskim të mjeteve të rrezikshme nga disa nxënës, e çka jo tjetër.

Por asnjëherë, disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë), asnjëherë nuk kanë shkruar se Presidentja e vendit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë, përkundër sfidave të mëdha me të cilat përballej kjo shkollë. Asnjëherë nuk kanë shkruar për plot politikanë të tjerë, e në veçanti për gazetarët e shumtë që i dërgojnë fëmijët në shkolla private, brenda e jashtë vendit.” – shkroi Osmani ndër të tjera.

Osmani pretendoi se gazetarët “rrezikuan sigurinë” e vajzave të saj.

“E vetmja gjë që bënin disa nga këta të ashtuquajtur gazetarë, ishte rrezikimi i sigurisë së vajzave të mia, të cilat shkonin çdo ditë në shkollë publike, duke publikuar vendndodhjen e tyre, klasat e tyre, incizime të paautorizuara të fytyrës së tyre, pa asnjë leje paraprake, e përkundër moshës së tyre të mitur, dhe faktit se, ashtu siç e parasheh ligji dhe siç ka qenë rasti edhe me familjet e tjera të presidentëve, policia është prezente. Njësoj, pra incizime të paautorizuara të fëmijëvë të mitur, ata tentuan të bëjnë edhe sot.” – shkroi Osmani.

Reagimi i plotë:

Lajme të ngjashme