Osmani pret në takim zyrtarët amerikanë, diskutohet partneriteti me ShBA-në
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e ShBA-së në Kosovës, Jeffrey Hovenier dhe përfaqësuesit e ambasadave amerikane në vendet e rajonit.
Siç njofton presidenca, fokus i këtij takimi ishte partneriteti me ShBA-në dhe rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ekonomik në fushën e energjisë, bashkëpunimi rajonal dhe zhvillimet e fundit në Kosvë dhe më gjerë.
“Në lidhje me zhvillimet e fundit, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet tona mbeten plotësisht të angazhuara për të kontribuar në mënyrë aktive për paqe dhe siguri të qëndrueshme në vend dhe rajon, në bashkëpunim dhe koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.
Osmani ka shtuar se Kosova është e përkushtuar për partneritet të palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në këtë drejtim, Presidentja ka theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe atë në fushën e sigurisë në mes të dy vendeve. Në takim u diskutua edhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal”, thotë presidenca.