Osmani pret Komandantin e Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Admiral Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.
Gjatë takimit, Osmani vlerësoi rolin e KFOR-it dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm për garantimin e paqes dhe sigurisë në vend. Ajo theksoi se bashkëpunimi i institucioneve të sigurisë së Kosovës me KFOR-in mbetet jetik për ruajtjen e stabilitetit në rajon.
Presidentja përsëriti përkushtimin e palëkundur të Kosovës në rrugën euroatlantike, duke vënë në dukje ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe përmbushjen e zotimeve ndaj Aleancës.
Osmani vuri në pah edhe sfidat e sigurisë në veri të vendit dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, duke nënvizuar rëndësinë e rolit të KFOR-it në parandalimin e eskalimeve të mundshme.
Në fund të takimit, presidentja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s dhe përcolli vendosmërinë e Kosovës për të qenë partner i besueshëm dhe aktiv i botës demokratike.