Osmani për iniciativën e Francës dhe Gjermanisë: Është serioze
Presidentja, Vjosa Osmani është deklaruar në lidhje me iniciativën e Francës dhe Gjermanisë, në lidhje me përshpejtimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Osmani ka thënë se secila iniciativë nga partnerët e Kosovës është serioze, dhe se Franca e Gjermania kanë qenë historikisht partnerë dhe aleatë të Republikës së Kosovës.
“Çdo iniciativë e partnerëve tanë është serioze. Iniciativa është që të intensifikohet procesi i dialogut dhe natyrisht që si Franca, si Gjermania kanë qenë historikisht partnerë aleatë dhe mbështetës të Republikës së Kosovës”
Kujtojmë se për këtë iniciativë ditë më parë u deklarua edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se “nuk është një iniciativë, të cilën mund t’a hedhësh nga dritarja”.
Ndërkohë edhe kryeministri Kurti është shprehur në lidhje me të.
“Ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron t’i jep më shumë fuqi z.Lajcak, sikurse i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane. Diskutohen modele të ndryshme, por nuk ka diçka përfundimtare, aq më pak vendimtare që mund të thuhej se “ky është propozimi franko-gjerman”, tha dje Kurti.