Osmani për Bordin e Paqes të Trump: Ky mekanizëm mund të punojë dorë për dore me OKB-në
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar për BBC se Kosova e di se si arrihet paqja, duke u bazuar në përvojën e saj historike dhe në rëndësinë e veprimit ndërkombëtar. Osmani, e cila i është bashkuar Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, tha se ka “shumë arsye” pse Kosova është pjesë e këtij mekanizmi.
“Le të kthehemi pak pas në kohë, 26 vjet më parë. Kosova ishte një vend i shkatërruar nga lufta. Kundër popullit të Kosovës po kryhej gjenocid dhe, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera demokratike, jetët tona u shpëtuan”, tha Osmani, duke shtuar se ndërhyrja ndërkombëtare i hapi rrugë paqes, lirisë dhe pavarësisë.
Ajo theksoi se paqja nuk arrihet vetëm me deklarata. “Ishin rezoluta dhe fjalë, por nuk kishte veprim derisa SHBA-ja ndërhyri dhe mobilizoi botën”, u shpreh Osmani. Sipas saj, nevojitet një organizatë e fuqishme për krijimin e paqes, ndërsa OKB-ja ka rol kyç në ruajtjen e saj. “Jo, nuk bëhet fjalë për zëvendësim të OKB-së. Krejt e kundërta, këto mekanizma mund të punojnë dorë për dore”, përfundoi ajo.