Osmani pak më “shpresëplotë”: Të gjitha forcat politike do ta kuptojnë se kompromisi është rruga përpara
Kandidatja për presidente nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë gjatë një interviste për Deutsche Welle. Ajo e përshkroi situatën politike në vend si një cikël të përsëritur krizash, që po ndikon negativisht në funksionimin e institucioneve dhe në avancimin e procesit të integrimit evropian.
Duke folur për pasojat e kësaj gjendjeje, Osmani vlerësoi se qytetarët po përballen me një nivel gjithnjë e më të lartë zhgënjimi.
“Është bërë një dukuri e rregullt, por është për të ardhur keq. Është për të ardhur keq për njerëzit që po bëhen gjithnjë e më të frustruar nga këto procese të përsëritura. Është frustrim edhe për vendin, i cili nuk po arrin të ecë përpara me procese shumë të rëndësishme të brendshme”, tha ajo.
Sipas saj, bllokadat politike po pengojnë gjithashtu zhvillimin dhe përparimin e vendit në fusha kyçe.
“Është gjithashtu frustrim për procesin e integrimit evropian, i cili po ngec për shkak të krizave të njëpasnjëshme”, tha Osmani.
Megjithatë, ajo u shpreh më optimiste pas zgjedhjeve të fundit, duke besuar se partitë politike do të tregojnë gatishmëri më të madhe për bashkëpunim dhe kompromis.
“Pas këtyre zgjedhjeve, jam pak më shpresëplotë se të gjitha forcat politike do ta kuptojnë se kompromisi është rruga përpara dhe se institucionet do të formohen sa më shpejt që të jetë e mundur.”