Osmani në Bruksel: Duhet të kërkohet përgjegjësi për sulmet e Serbisë nëpërmjet strukturave ilegale
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se gjatë vizitës së saj në Bruksel, ku u takua me udhëheqës të lartë të Bashkimit Evropian, kërkoi intensifikimin e bashkëpunimit për të parandaluar "sulme të reja terroriste", pas sulmit të fundit në Zubin Potok.
Osmani, e cila zhvilloi takime me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, tha se sulmi në Zubin Potok ishte pjesë e bisedimeve.
Ajo theksoi gjithashtu rrezikun e mundshëm të sulmeve të tjera dhe nevojën për mbështetje ndërkombëtare për t’i parandalur ato.
Në këto takime, Presidentja Osmani përsëriti angazhimin e plotë të Kosovës për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë në përballimin e kërcënimeve të sigurisë.
“Duhet të kërkohet përgjegjësi për sulmet e vazhdueshme të cilat Serbia, nëpërmjet strukturave të saj ilegale, po i kryen kundër Kosovës”, tha Osmani, transmeton Radio Evropa e Lirë.