Osmani nderohet me Çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar me Çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Në një reagim publik, ajo e cilësoi këtë vlerësim si një nder të veçantë dhe ia dedikoi popullit të Kosovës, veçanërisht grave të vendit që me guxim, dinjitet e përkushtim kontribuuan në arritjen e lirisë dhe ndërtimin e paqes.
Presidentja theksoi se ky çmim i përket grave që nuk u dorëzuan kurrë – atyre që udhëhoqën protesta, morën pjesë në luftë, ndërtuan institucione dhe luftuan për të drejtat e njeriut. Ajo përkujtoi edhe nënat që ende presin të dashurit e zhdukur gjatë luftës, si dhe të mbijetuarat që vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.
Sipas Osmanit, paqa dhe demokracia e Kosovës janë ndërtuar mbi sakrificën dhe guximin e grave, të cilat mbeten shtylla kryesore e rrugëtimit të vendit drejt lirisë dhe barazisë.