Osmani me U.d Ambasadoren e ShBA-SË, thotë se foli për “rolin e Kosovës në Bordin e Paqes”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani njoftoi për takim me U.d Ambasadoren e ShBA-së në vend, Anu Prattipati-n, me të cilën bisedoi për konstituimin e institucioneve si dhe rolin e Kosovës që pritet ta ketë si pjesëmarrëse (s’dihet nëse veç me përfshirje 3 vjeçare) në Bordin e Paqes.
Postimi i Presidencës:
Presidentja Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së, Anu Prattipati
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, me theks në rëndësinë e përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve.
Në takim u diskutua gjithashtu për rolin e Kosovës në Bordin e Paqes, si dhe për hapat e mëtejmë në këtë drejtim. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për linjëzim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në përputhje me interesat strategjike të vendit, si dhe për thellimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.