Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut simbolizon guximin e delegatëve dhe përpjekjet e Kosovës për liri e demokraci
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka vlerësuar lartë vlerat e Kushtetutës së Kaçanikut.
Në 33-vjetorin e shpalljes së kësaj kushtetutës, ajo ka thënë se ky dokument simbolizon përkushtimin e Kosovës dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik.
Ajo ka bërë me dije se kjo kushtetutë mishëron parimet e barazisë, lirisë dhe demokracisë.
“Kushtetuta e Kaçanikut, simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik. Kjo Kushtetutë, mishëron parimet e barazisë, lirisë dhe demokracisë dhe mbetet guri themeltar i plotësimit të idealit të brezave për Kosovën Republikë, duke ngërthyer në vete vlerat perëndimore, aspiratë e përhershme e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani, sipas njoftimin për media të Zyrës së Presidencës.
E para e vendit ka vlerësuar lartë guximin e deputetëve të asaj kohe, duke thënë se ata meritojnë respekt.
“Delegatet dhe delegatët e atëhershëm meritojnë respektin më të lartë, sepse me guximin e tyre, aktin më të lartë juridik e shndërruan në njërin nga hapat më të rëndësishëm të konsolidimit të identitetit të shtetit të ardhshëm të Kosovës”, është shprehur Presidentja.