Osmani: Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim homologun e saj nga Malta, George Vella.
Osmani ka falenderuar homologun e saj Vellla duke thënë se kjo vizitë është edhe njëherë dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyeshme dypalëshe mes Kosovës dhe Maltës.
“Ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme nga shteti i Maltës që nuk ka munguar asnjëherë në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës”, ka thënë Osmani.
Ajo gjithashtu foli edhe për liberalizimin e vizave ku tha se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, dhe mes tjerash pohoi se shpreson që më së largu deri në dhjetor të merret vendimi lidhur me këtë çështje.
“Kanë kaluar më shumë se katër vite që kur Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret në procesin e liberalizimit të vizave, duhet t’i jepet fund përjashtimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës nga ku proces. Prandaj, shpresojmë që vendimi të merret më së largu deri në dhjetor, përgjatë presidencës çeke dhe që pastaj vendimi për liberalizimin e vizave të hyjë në fuqi sipas praktikave të deri tanishme, duke mos përcaktuar kritere të reja teknike, të cilat vetëm sa do ta vazhdonin padrejtësinë e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka thënë tutje Osmani.