Osmani: Kosova duhet të mësojë nga gabimet e Maqedonisë për zgjidhjen e problemeve me fqinjët - NACIONALE

Osmani: Kosova duhet të mësojë nga gabimet e Maqedonisë për zgjidhjen e problemeve me fqinjët

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se Kosova duhet të mësojë nga gabimet e Maqedonisë së Veriut në zgjidhjen e problemeve strategjike me fqinjët.

Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka bërë me dije se Maqedonisë së Veriut i ka kushtuar me dekada politika e saj nacionaliste.

"Ne, konsideroj se kemi humbur 30 vite me Republikën e Greqisë, duke tentuar me një politikë që ka qenë izoluese që t`u ikim rregullave të politikës ndërkombëtare. Mendoj se këto pesë vitet e fundit janë ato që na kthyen përsëri në rrugën e duhur, duke bërë kompromise që nuk kanë qenë të lehta, por duke i garantuar vendit anëtarësim në NATO, që është e jashtëzakonshme, veçanërisht tani në kushte të agresionit rus në Ukrainë, por edhe të fillojmë bisedimet me BE-në pas 17 viteve pritje", ka thënë ai.

Osmani ka thënë se Kosova nuk duhet t`i përsëritë gabimet e Maqedonisë.

"Ajo që mund të them është që të merret shembulli i Maqedonisë se Veriut, pozicioni jonë në periudha të ndryshme të zhvillimit të shtetit dhe politikës në përgjithësi dhe të mësohet nga gabimet tona", ka vlerësuar.

Sipas Osmanit, problemet me fqinjët duhet të zgjidhen duke qenë në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë.

"Mendoj se secili duhet ta analizojë dosjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të parë se politika ndërkombëtare është e pamëshirshme dhe se duhet shumë punë, shumë mençuri, shumë koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe guxim për të ecur përpara. Mendoj se shembulli i Maqedonisë së Veriut është shembulli më i mirë se si duhet dhe si nuk duhet të veproni, kur keni për të mbyllur çështje të rëndësishme strategjike për vendin", është shprehur ai.

Lajme të ngjashme