Osmani: Kolumbia shfaqi një respekt të veçantë dhe dashamirësi për Kosovën
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet me nderime të larta në Kolumbi, ku po qëndron me rastin e hapjes së ambasadës së Republikës së Kosovës në Bogota.
Ajo ka vlerësuar se Kolumbia shfaqi një respekt të veçantë dhe dashamirësi për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Në profilin e saj në “Facebook”, Osmani ka treguar se për çka kanë diskutuar në takimin me presidentin kolumbian.
“Pritje me nderime të larta ushtarake në Pallatin Presidencial në Bogota, nga Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro 🇽🇰🇨🇴. Kolumbia shfaqi një respekt të veçantë dhe dashamirësi për Kosovën dhe qytetarët tanë gjatë vizitës sime zyrtare në këtë shtet, që është gjithashtu vizita e parë e një kreu shteti nga Kosova në Kolumbi. Diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si siguria, turizmi, ekonomia e kultura, si dhe për fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Mirënjohëse pafund për mbështetjen për Kosovën!”, ka shkruar Osmani.