Osmani kërkon përkrahje nga Hungaria për liberalizimin e vizave
Në Kosovë po qëndron sot presidentja e Hungarisë, Katalin Novak. Ajo është pritur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani në një konferencë për media pas takimit, tha se Kosova do të aplikojë këtë vit për statusin kandidat në BE.
“Kosova ka synim, vizion dhe punë anëtarësimin në NATO. Për këtë dua ta falënderoj shtetin hungarez që përkrahu vendin tonë në anëtarësimet e ndryshme. Presidente, siç edhe çdo vend tjetër në Evropë, edhe ne po sfidohemi nga krizat e shumta. Shtetet e rajonit kanë nevojë për mbështetje. Ka ardhur koha që marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian të ngritën në një nivel më të lartë. Andaj Kosova këtë vit do të aplikojë për statusin kandidat. Presim mbështetjen edhe të Hungarisë”, ka thënë Osmani.
Ajo kërkoi përkrahje nga Hungaria për liberalizimin e vizave.
“Kanë kaluar më shumë se katër vite që kur Kosova ka plotësuar të gjithë kërkesat për liberalizim të vizave. Hungaria e ka përkrahur këtë dhe lus që të vazhdoni ta përkrahni në vazhdimësi shtetin tonë. Llogarisim edhe në mbështetjen e Hungarisë në anëtarësimin e të gjitha Organizatave Ndërkombëtare, ku përfituesit më të mëdhenj janë qytetarët e Republikës së Kosovës”, theksoi Osmani.