Osmani kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës në takimin me ambasadorin e BE-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ku u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në vend, procesin zgjedhor dhe hapat e ardhshëm për konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani vlerësoi përfshirjen dhe rolin e Misionit Vëzhgues të BE-së në procesin zgjedhor, duke e konsideruar atë një element kyç për mbarëvajtjen demokratike të zgjedhjeve.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin bisedoi për zhvillimet më të fundit në vend, procesin zgjedhor dhe hapat e mëtejshëm për konstituimin e institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje angazhimin dhe prezencën e Misionit Vëzhgues të BE-së.” – thuhet ndër të tjera në njoftim.
Një nga çështjet kryesore të diskutuara ishte nevoja për heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës, të cilat, sipas Presidentes, po ndikojnë negativisht te qytetarët.
“Presidentja Osmani ripotencoi edhe njëherë rëndësinë e largimit të masave të padrejta, të cilat përfundimisht po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës.” – thuhet më tej.