Osmani e pret raportuesin për Kosovën në PE: I kërkon bashkëpunim që të hetohet sulmi në Ibër-Lepenc
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim deputetin e Parlamentit Evropian dhe raportues i sapoemëruar për Kosovën, Riho Terras.
”Presidentja nënvizoi përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian si synim kyç për të ardhmen e vendit. Presidentja Osmani theksoi edhe përkushtimin e Kosovës për të drejtat e njeriut, sundim të ligjit e demokraci, duke prezantuar arritjet evidente”, thuhet në njoftim
Po ashtu është bërë e dtitur se Osmani bëri thirrje për bashkëpunim dhe mbështetje nga partnerët ndërkombëtar për hetim të sulmit në Ibër-Lepenc. Kështu duke konfirmuar përkushtimin për hetim profesional të rastit nga ana e institucioneve të Kosovës.
”Ajo theksoi se ky sulm ka targetuar infrastrukturën kritike në vend, duke synuar që të shkaktojë dëme të mëdha, të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Në këtë drejtim, ajo foli për rëndësinë kyçe të bashkëpunimit me qëllim të luftimit të mëtejmë të bandave kriminale serbe të cilat mbështeten, trajnohen e paguhen nga shteti serb, si dhe komunikimit e koordinimit me qëllim të parandalimit të sulmeve të ngjashme në të ardhmen”
Në fund Osmani theksoi se është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare të mbajë qëndrim unik ndaj veprimeve destabilizuese të Serbisë, përfshirë aktit të agresionit të shtatorit 2023 dhe sulmit të fundit terrorist në infrastrukturën vitale të Kosovës.