OKB-ja thotë se ende asnjë ndihmë nuk ka arritur te civilët e Gazës - NACIONALE

OKB-ja thotë se ende asnjë ndihmë nuk ka arritur te civilët e Gazës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kombet e Bashkuara thonë se ende asnjë pjesë e ndihmave nuk është shpërndarë në Gaza pavarësisht nga fakti se kamionët kanë filluar ta kalojnë kufirin pas një bllokade 11-javore.

Zyrtarët izraelitë thanë se 93 kamionë hynë në Gaza të martën, duke bartur ndihma në mesin e të cilave kishte miell, ushqim për foshnja, pajisje mjekësore dhe ilaçe farmaceutike, raporton televizioni BBC.

Megjithatë, OKB-ja tha se ende asnjë ndihmë nuk është shpërndarë deri më tani, edhe pse kamionët kanë arritur në anën palestineze të pikëkalimit kufitar “Kerem Shalom”.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, tha se një ekip “priti disa orë” që Izraeli t’i lejonte qasje në zonë, por “fatkeqësisht, ata nuk ishin në gjendje që t’i sillnin ato dërgesa në depon tonë”.

Të dielën, Izraeli u pajtua për ta lejuar hyrjen e një “sasie bazë të ushqimit” në Gaza, ku ekspertët kanë paralajmëruar për rrezikun nga vdekja prej urisë.

Sidoqoftë, presioni ndërkombëtar ndaj izraelit ka vazhduar që të rritet. Britania tha të martën se do t’i pezullojë bisedimet tregtare me këtë shtet për shkak të atij që e quajti përshkallëzim ushtarak “moralisht të pajustifikueshëm” në Gaza. Kryeministri Keir Starmer tha se situata në enklavën palestineze është e patolerueshme.

Ndërkohë, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se blloku do ta rishikojë marrëveshjen tregtare me Izraelin pas veprimeve të tij në Gaza.

Lajme të ngjashme