OKB-ja: Bjellorusia do ta lejojë kalimin e drithërave ukrainase pa parakushte nëpër territorin e saj - NACIONALE

OKB-ja: Bjellorusia do ta lejojë kalimin e drithërave ukrainase pa parakushte nëpër territorin e saj

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Bjellorusia u ka thënë Kombeve të Bashkuara të premten se do ta lejojë, pa parakushte, kalimin transit të drithërave nga Ukraina përmes territorit të saj për eksportim nga portet e Lituanisë, njoftoi një zëdhënës i OKB-së.

Bjellorusia, e përdorur nga Rusia si zonë për nisjen e pushtimit të 24 shkurtit, pati thënë në qershor se do ta lejonte kalimin e drithërave ukrainase nëpër territorin e saj deri në portet e Detit Baltik, nëse Bjellorusisë do t’i lejohej edhe transportimi i mallrave të saj nga ato porte. Ukraina nuk e kishte pranuar këtë propozim.

Zëvendësministri i Jashtëm i Bjellorusisë, Yuri Ambrazevich, u takua të premten në Nju Jork me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për t’i treguar se nuk ka parakushte për kalimin e drithërave të Ukrainës nëpër territorin bjellorus, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

Zyrtari bjellorus, gjithashtu, “i përsëriti kërkesat nga qeveria e tij për të mundur t’i eksportojë produktet e saj të plehrave, të cilat tash për tash janë subjekt i sanksioneve”- thuhet në një deklaratë të zëdhënësit të OKB-së pas takimit.

Bjellorusia është goditur nga sanksione të ashpra të Perëndimit, të cilat e kanë penguar eksportimin e plehrave të këtij shteti përmes porteve të Detit Baltik.

Lajme të ngjashme