OEK kërkon pezullimin e vendimit të ZRrE-së: Do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kostos së prodhimit
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) i është drejtuar Avokatit të Popullit me një kërkesë zyrtare për të iniciuar në Gjykatën Kushtetuese pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për një periudhë kohore prej të paktën një viti.
Sipas OEK-ut, ky hap është i domosdoshëm për të mbrojtur bizneset nga një rritje e mundshme e çmimeve të energjisë elektrike, e cila do të ndikonte drejtpërdrejt në koston e prodhimit dhe të shërbimeve.
Njoftimi:
Oda Ekonomike e Kosovës i është drejtuar Avokatit të Popullit me kërkesë që në emër të interesit publik dhe bazuar në kompetencat e tij ligjore e kushtetuese, të iniciojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e vendimit të ZRrE-së për një periudhë kohore prej të paktën një viti.
Kjo kërkesë vjen me qëllim mbrojtjen e bizneseve nga rritja e mundshme e çmimit të energjisë elektrike, e cila do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kostos së prodhimit apo shërbimit.
Një rritje e tillë do të ndikonte negativisht në konkurrueshmërinë e bizneseve në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm, duke ulur gjithashtu standardin jetësor të qytetarëve.