Oda Ekonomike: ZRrE është e detyruar të zbatojë aktgjykimet e gjykatës për anulimin e tregut të lirë
Gjykata Komerciale e Kosovës ka anuluar tërësisht njoftimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), përmes të cilit kompanitë ishin urdhëruar të kalojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike. Aktgjykimi i datës 29 korrik 2025, sipas Odës Ekonomike të Kosovës, konfirmon shqetësimet e ngritura më herët për mënyrën jo transparente dhe të njëanshme të këtij procesi.
Pas këtij vendimi, Oda i bëri thirrje ZRrE-së që të anulojë menjëherë vendimin e saj të mëhershëm të datës 5 prill 2024, i cili, pas këtij aktgjykimi, nuk mund të prodhojë më efekte juridike. Oda rikujton se moszbatimi i vendimeve të gjykatës përbën shkelje të rëndë ligjore dhe sjell përgjegjësi penale.
Reagimi:
Gjykata Komerciale anulon njoftimin e ZRrE-së për kalimin në tregun e lirë të energjisë, Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje ZRRE-së për anulimin e vendimit
Me aktgjykimin e fundit të datës 29.07.2025, KA.nr.301/25, Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë, Departamenti për Çështje Administrative, ka anuluar në tërësi njoftimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) të datës 12.03.2025, përmes të cilës janë njoftuar kompanitë për kalimin e detyrueshëm në tregun e hapur të energjisë elektrike.
Oda Ekonomike e Kosovës vlerëson se ky është një vendim i rëndësishëm, që njëherësh konfirmon shqetësimet e ngritura në vazhdimësi nga komuniteti i biznesit dhe nga vetë Oda, lidhur me mënyrën e njëanshme dhe jo transparente të zbatimit të këtij procesi. Në mungesë të një njoftimi të vlefshëm dhe në mungesë të një baze ligjore për zbatim, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon nga ZRrE që të anulojë vendimin e datës 05.04.2024, i cili nuk mund të prodhojë më efekte juridike.
ZRrE është e detyruar të zbatojë aktgjykimet përfundimtare të gjykatës, dhe moszbatimi i tyre përbën shkelje të rëndë të rendit juridik që sjellë përgjegjësi penale.
Që nga fillimi, Oda Ekonomike e Kosovës ka qenë zëri institucional që ka qëndruar në mbrojtje të interesit të bizneseve, duke kundërshtuar vendime të njëanshme që rëndojnë prodhimin dhe ekonominë vendore në tërësi. Përmes veprimeve ligjore, kërkesave zyrtare dhe adresimit të vazhdueshëm publik, Oda ka qëndruar krah biznesit dhe do të vazhdojë të luftojë çdo vendim që cenon të drejtën e barabartë dhe trajtimin e drejtë të komunitetit ekonomik në vend.
Oda Ekonomike e Kosovës fton institucionet përgjegjëse që të marrin seriozisht vërejtjet e shprehura nga komuniteti i biznesit dhe të angazhohen në politika gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që përkrahin zhvillimin ekonomik të vendit.