Oda Amerikane e ashpër: Kosova duhet të lirohet sa më shpejtë nga diskursi i konfliktit
Oda Amerikane ka lëshuar një komunikatë, në të cilin ka theksuar që Kosova duhet të lirohet sa më shpejtë nga diskursi i konfliktit.
Duke u bazuar në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Oda Amerikane vlerëson se e rëndon më tej perceptimin negativ mbi Kosovën.
“Oda Amerikane beson fuqishëm që Kosova duhet të lirohet sa më shpejtë që është e mundur nga diskursi i konfliktit dhe jostabilitetit. Raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave i cili përmend Kosovën si njërën nga dhjetë vendet me rrezik për konflikt vdekjeprurës ose eskalim gjatë vitit 2024, rëndon më tej perceptimin negativ mbi Kosovën, e që pamundëson tërheqjen e investimeve cilësore të huaja. Institucionet e Kosovës duhet të kuptojnë rëndësinë e përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë, si thirrje e vazhdueshme edhe e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Odës Amerikane.
Tutje, Oda Amerikane ka vlerësuar si hap të duhur njohjen e targave nga Kosova dhe Serbia.
“Si avokuese e fuqishme e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, Oda Amerikane vlerëson pozitivisht hapat e ndërmarrë nga Kosova dhe nga Serbia së fundmi për njohjen e targave të veturave, duke vlerësuar se hap tjetër me rëndësi do të ishte largimi i barrierave në tregtinë ndërmjet të dyja shteteve, duke i hapur rrugë zhvillimit të përshpejtuar ekonomik. Prandaj, Oda Amerikane përsërit thirrjen e saj për Qeverinë e Kosovës që të largojë masat aktuale të cilat ndalojnë hyrjen e produkteve finale nga Serbia, të cilat kryesisht godasin interesat komerciale të shteteve partnere të Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Largimi i barrierave tregtare do ta bënte Kosovën më tërheqëse për investitorët e huaj, meqë ata konsiderojnë mundësitë të cilat u ofrohen nga qasja në tregje më të mëdha dhe përfitimi nga ekonomitë e shkallës në prodhim dhe distribuim”, thuhet tutje.