O’Brien: SHBA vend mik dhe partner i përkushtuar për Kosovën
Në Uashington është përuruar objekti i ri i Ambasadës së Kosovës në SHBA.
Në fjalimin e saj, ministrja Gërvalla tha se Kosova është shteti më pro amerikan në botë.
“Le të dëshmojmë që si demokraci perëndimore, jemi shumë më të fortë se ata që çdo ditë luftojnë kundër vlerave tona, parimeve tona dhe le të tregojmë, për gjeneratën e fëmijëve tanë, se me forcën që paraqesin vlerat tona, me forcën e vullnetit tonë dhe me forcën e lirisë që ne jetojmë, mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë ne”, tha Gërvalla, njofton MPJD.
“Ky angazhim i miqve tanë shpëtoi më shumë se 100,000 jetë njerëzish në Kosovë dhe solli një të ardhme të ndryshme për të gjithë rajonin tonë. Kosova është shteti më pro amerikan në botë dhe prandaj kjo ambasadë që po inaugurojmë sot është jo vetëm një objekt, por një mesazh i fuqishëm”, tha ministrja Gërvalla.
Nga ana tjetër, Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, deklaroi se SHBA ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një mik dhe partner i përkushtuar për Kosovën.
Ai theksoi se ky sukses i Kosovës, vendosja e kësaj ambasade fare pranë vendit ku kishte filluar karrierën e saj, do ta gëzonte pamasë ish sekretaren e shtetit, Madeleine Albright.
“Zemra e saj do të shpërthente nga gëzimi kur të shihte kështu Kosovën, për të cilën gjithmonë thoshte se ishte gjëja për të cilën ishte më së shumti krenare”, tha Ndihmës-sekretari O’Brien.