O'Brien i prerë: Shkaktimi i trazirave në veri nënkupton përballje me NATO-n
James O’Brien, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, ka paralajmëruar të hënën Kosovën dhe Serbinë se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n.
“Është e rëndësishme që të dyja palët ta kuptojnë se, nëse ndodh ndonjë trazirë në veri, kjo nënkupton përballje me NATO-n”, tha O’Brien për gazetarë, përcjell Radio Evropa e Lirë.
REL raporton gjithashtu se i dërguari amerikan tha se veriu i Kosovës duhet të jetë i qetë dhe i sigurt në mënyrë që Kosova dhe Serbia të shënojnë përparim politik në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Ai shtoi se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të bisedojë për rritjen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor gjatë takimit dyditor të ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të NATO-s, këtë javë në Bruksel.
Blinkeni, po ashtu, do t’i përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shkup, Maqedoni të Veriut.
Javën e kaluar, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se NATO po e rishikon mundësinë e rritjes së pranisë ushtarake në Ballkanit Perëndimor dhe Kosovë.
