NYT: ShBA-ja i ka paraqitur Iranit një propozim 15-pikësh për fundin e luftës - NACIONALE

NYT: ShBA-ja i ka paraqitur Iranit një propozim 15-pikësh për fundin e luftës

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Iranit një plan për përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme, sipas dy zyrtarëve me njohuri rreth zhvillimeve diplomatike, duke e pasqyruar dëshirën e administratës së presidentit Donald Trump për të gjetur një rrugëdalje nga konflikti që e ka goditur ekonominë globale.

Nuk ishte e qartë nëse ka gjasa që Irani ta pranojë planin e dërguar përmes Pakistanit si bazë për bisedime ose nëse Izraeli është pjesë e propozimit, shkruan gazeta “The New York Times”.

Presidenti Trump, duke folur në ditën kur Irani kreu një valë sulmesh me raketa në pjesë të ndryshme të Lindjes së Mesme, tha të martën se bisedimet për përfundimin e luftës tashmë ishin duke u zhvilluar dhe se iranianët do të donin që “të bënin një marrëveshje”.

Sipas televizionit izraelit, “Channel 12”, në mesin e 15 kërkesave të ShBA-së për Iranin janë: Irani duhet t’i zhbëjë kapacitetet e veta ekzistuese bërthamore; Irani duhet të zotohet se kurrë nuk do ta ndjekë prodhimin e armëve bërthamore; nuk do të ketë pasurim të uraniumit në territorin e Iranit; Irani duhet ta dorëzojë rezervën prej rreth 450 kilogramësh të uraniumit të pasuruar në nivelin 60 për qind tek Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore në të ardhmen e afërt, brenda një afati për të cilin duhet të bëhet marrëveshje.

Për më tepër, objektet bërthamore Natanz, Isfahan dhe Fordo duhet të mbyllen.

Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore duhet t’i jepet qasje e plotë, transparencë dhe mbikëqyrje brenda Iranit.

Irani duhet t’i ndërpresë financimin, drejtimin dhe armatosjen e grupeve rajonale që i mbështet.

Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur dhe të funksionojë si korridor i lirë detar.

Programi raketor i Iranit duhet të kufizohet në fushëveprim dhe sasi – kufizimet e caktuara do të vendosen në një fazë të mëvonshme.

Çfarëdo përdorimi i raketave në të ardhmen do të kufizohej vetëm për vetëmbrojtje.

Në këmbim, Irani:

Përfiton heqje të plotë të sanksioneve të vendosura nga komuniteti ndërkombëtar.

ShBA-ja do ta ndihmonte Iranin në avancimin e programit civil bërthamor, përfshirë prodhimin e energjisë në centralin bërthamor në Bushehr.

Hiqet mekanizmi për rivendosjen automatike të sanksioneve në rast se Irani do të bënte ndonjë shkelje./Nacionale

Lajme të ngjashme