Nuk u ftuan në seancën për Epopenë e UÇK-së, OVL-UÇK: Është e papranueshme dhe fyese - NACIONALE

Nuk u ftuan në seancën për Epopenë e UÇK-së, OVL-UÇK: Është e papranueshme dhe fyese

4 muaj më parë

nga NACIONALE

OVL-UÇK ka reaguar ashpër ndaj institucioneve qendrore që në seancën e sotme për Epopenë e UÇK-së nuk janë ftuar përfaqësuesit e kategorive të dala nga lufta.

Në reagimin e tyre është thënë se një veprim i tillë është i papranueshme dhe thellësisht fyese.

“Është e papranueshme dhe thellësisht fyese që në një seancë solemne të Kuvendi i Republikës së Kosovës kushtuar Epopesë së UÇK-së, të mos ftohen fare përfaqësuesit e kategorive të dala nga lufta. Pikërisht ata burra e gra që me pushkë në dorë ngritën dhe mbrojtën idealin e lirisë, ata që sakrifikuan gjithçka për këtë shtet, sot u lanë jashtë një ceremonie që i kushtohet historisë dhe sakrificës së tyre. Kjo nuk është vetëm një neglizhencë institucionale, por një shpërfillje e drejtpërdrejtë ndaj luftëtarëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe gjithë atyre që bartën mbi supe barrën e luftës për liri”, është thënë në reagimin e OVL-UÇK-së.

Ndër të tjera, kjo organizat ka kërkuar respekt institucional.

“Është paradoksale që të flitet për lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brenda sallës së Kuvendit, ndërsa jashtë saj të lihen pikërisht njerëzit që e krijuan atë histori me gjakun dhe sakrificën e tyre. Kategoritë e dala nga lufta nuk kërkojnë privilegje, por respektin institucional që u takon. Historia e luftës çlirimtare nuk mund të kujtohet duke përjashtuar ata që e bënë atë histori”, është thënë në reagim.

Lajme të ngjashme