“Nuk ka luftë në Venezuelë”, thotë në Këshillin e Sigurimit ambasadori amerikan në OKB
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, Mike Waltz, iu drejtua të hënën Këshillit të Sigurimit, duke këmbëngulur se “nuk ka luftë në Venezuelë” pas sulmeve amerikane në këtë shtet dhe kapjes së presidentit Nicolas Maduro e bashkëshortes së tij.
“Ne nuk jemi duke pushtuar një shtet. Ky ishte një operacion i sundimit të ligjit në mbështetje të aktakuzave të ligjshme që kanë ekzistuar me dekada” – deklaroi diplomati amerikan, duke pretenduar se ka precedent për këtë lloj veprimi, pasi ShBA-ja e kishte kapur ish-udhëheqësin e Panamasë, Manuel Noriega, në vitin 1989, shkruan gazeta “The Guardian”.
Të hënën, ambasadori amerikan tha se “prova dërrmuese” të krimeve të Maduros do të “paraqiten haptazi në procedurat gjyqësore në ShBA”. Maduroja është ngarkuar me akuzat për konspiracion për terrorizëm me drogë, konspiracion për importim të kokainës dhe trafikim armësh.
“Maduroja nuk është vetëm një trafikues droge ndaj të cilit ka aktakuzë. Ai është një i ashtuquajtur president jolegjitim. Dua të ritheksoj se presidenti [Donald] Trump i dha një mundësi diplomacisë. Ai i bëri Maduros shumë oferta, ai u mundua që të depërshkallëzonte [situatën]. Maduroja refuzoi që t’i merrte ato” – tha Waltz-i në Këshillin e Sigurimit.