Norvegjia arreston një burrë, e akuzon se ka spiunuar për Rusinë
Shërbimet e sigurisë në Norvegji kanë arrestuar një mësimdhënës universitar, për të cilin dyshojnë se punonte për Rusinë si spiun.
Agjencia për siguri të brendshme e Norvegjisë, PST, e arrestoi burrin gjatë rrugës për në punë, pasi e kishte identifikuar si “kërcënim për interesat themelore kombëtare”, raporton televizioni BBC.
I dyshuari, për të cilin thuhet se është në të tridhjetat, ishte paraqitur si profesor brazilian, por zyrtarët thonë se ai në të vërtetë është rus.
Ambasada e Rusisë në Oslo u tha medieve lokale se nuk është e vetëdijshme për identitetin e personit të arrestuar, përcjell Nacionale.
Zyrtarët norvegjezë thanë se burri kishte punuar si hulumtues në Universitetin e Tromso-s, në veri të vendit, nga viti i kaluar. Avokati i tij u tha medieve se klienti i tij i mohon akuzat.
Sidoqoftë, nënkryetarja e agjencisë për siguri të brendshme, Hedvig Moe, u tha gazetarëve se hetuesit ishin të shqetësuar se ky person “mund të ketë siguruar një rrjet dhe informata për politikat e Norvegjisë” në pjesën veriore të vendit.