Njësitë e specializuara të policisë, Qeverisë: Reflektoni ndaj kërkesave, mos na detyroni të dalim në protesta
Kryetari i Sindikatës së Policisë, Izmi Zeqiri, dhe Kryetari i Shoqatës Sindikale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Besim Krasniqi, kanë zhvilluar dje një takim me njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës, në Kampin “Enver Zymeri” në Mitrovicë.
Në këtë takim ka dalë një kërkese e veçantë e këtyre njësive policore.
Në njoftimin e Sindikatës së Policisë është thënë se këto njësi i kanë kërkuar Qeverisë që të reflektojë në raport me kërkesat e tyre.
Në të kundërt, sipas tyre, mund të dalin në protesta përsëri.
“Nga përfaqësuesit e këtyre njësive është kërkuar që Sindikata të luaj rol vendimtar në përfaqësimin e të drejtave të tyre, qoftë në kushte dhe mirëqenie , qoftë në rregullimin e disa çështjeve administrative si te Udhëzimet dhe Rregulloret e brendshme. Po ashtu kërkesë e veçantë ishte reflektimi, brenda muajit Shkurt, për realizimin e kërkesave të paraqitura në protestën e fundit, me qëllim që të mos detyrohemi që të fillojmë përseri me protesta”, është thënë në njoftimin e Sindikatës së Policisë së Kosovës.
Në njoftim është thënë se në takim është diskutuar për kushtet e punës, pajisjet, mirëqenia, shkelja e të drejtave ligjore të punëtorëve, heqja e disa kufizimeve të paarsyeshme, kompetencat e njësive dhe trajtimi i dinjitetshëm për të gjithë pjesëtarët e policisë.