Një shqiptar përndjeket nga disa persona në veri, Policia e cilëson si kanosje
Një person mbrëmë rreth orës 22:00 në veriun e Kosovës përndjekur nga disa persona të nacionalitetit serb, të cilët ishin të maskuar.
Rreth kësaj ngjarje, Gazeta Nacionale ka kontaktuar me Policinë e Kosovës.
Zëdhënësi i PK-së në Mitrovicën Veriore, Besim Hoti, ka thënë se ngjarja ka ndodhur dje dhe se rasti është cilësuar si kanosje.
“Rreth asaj video, ne kemi intervenuar si polici, rasti është cilësuar si kanosje. Nuk ka as lëndime as përleshje në këtë rast. Ata personat janë të nacionalitetit serb që po e ndjekin një shqiptarë. Rasti ka ndodhë mbrëmë”, ka thënë Hoti për gazetën.
Për këtë rast ka reaguar edhe profesori universitar, Alban Zeneli, përmes një postimi në Facebook, ku ka shpërndarë edhe videon e qastit.
Zeneli ka shkruar se askush nuk ofron siguri gjatë mbrëmjeve në pjesën veriore.
“Patriot të Facebookut, linqit publik, e pishtarë të barazisë, në Kosovën tonë, në prag të vitit 2023, shiheni se si përndiqet një shqiptar në veri, i cili vrapon për ta shpëtuar kokën. Njerëzit që e sulmojnë janë të maskuar, ndërkohë që ka disa netë që sipas banorëve, në veri mbrëmjeve nuk ofron siguri askush. Bile, në Urën e Ibrit disa nga banoret janë udhëzu mos me shku as në shtëpitë e tyre. Videoja është incizuar mbrëme rreth orës 22, në një rrugë në mes të lagjës 'Tre rrokaqiejt' dhe Spitalit në veri. Policia e ka deklaru sigurisht vetëm si kanosje”, ka shkruar ai.
Në fund Zeneli ka thënë se e gjithë vëmendja në rrjete sociale ka shkuar për një ngjarje sportive dhe efektet e saj.
“A e gjithë vëmendja jonë bartet të një gjest, të një ngjarje sportive dhe efektet e saj”, ka thënë ndër të tjera Zeneli.