Një polic përfshihet në përleshje me një qytetar në Ranillug, IPK rekomandon suspendimin e tij
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se një zyrtar policor, i cili ishte jashtë detyrës zyrtare, është përfshirë në një përleshje me një qytetar.
Sipas IPK-së, ngjarja ka ndodhur pas orës 02:30 në një lokal në Ranillug.
“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) janë njoftuar sot nga Policia e Kosovës për një incident që raportohet të ketë ndodhur pas orës 02:30 në një lokal në Ranillug. Bazuar në hetimet fillestare dyshohet se pas një mosmarrëveshje ka ndodhur një rrahje në mes të dy personave (një qytetar dhe një zyrtar policor i angazhuar në nënstacionin policor të Ranillugut dhe i cili ishte jashtë detyrës zyrtare).” – thuhet në njoftim.
Sipas IPK-së, dy të përfshirët në këtë incident janë arrestuar dhe të njëjtit kanë pësuar lëndime trupore.
Tutje nga Inspektorati Policor kanë rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor.
“Me aktvendim të prokurorisë kompetente të dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ndaj dy të dyshuarve është parashtruar kallëzim penal nga IPK-ja. Si pjesë e procedurave administrative për zyrtarin e dyshuar IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e tij. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti.” – thuhet ndër të tjera në njoftim.