Një muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e imamit në Dragash
Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit B.H. për vrasjen e imamit në Dragash.
Gjithashtu gjykata ka caktuar një muaj paraburgim edhe ndaj babait të tij, I.H.
Sipas gjykatës, derisa B.H. dyshohet për veprën penale “vrasja e rëndë”, I.H. dyshohet për veprën penale “mosdhënia e ndihmës”.
“I pandehuri B.H., më 29.06.2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.T. Sipas hetimeve të deritanishme, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet të pandehurit dhe viktimës lidhur me shfrytëzimin e një prone (livadhi). I pandehuri B.H., i ka shkaktuar viktimës lëndime me mjet të mprehtë (thikë), si pasojë e të cilave viktima G.T., ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Ndërkaq, i pandehuri I.H., (babai i të pandehurit B.H.) dyshohet se, edhe pse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofrojë ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës, e cila ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën”, ka vlerësuar gjykata.