Një i vdekur e dhjetëra të lënduar nga sulmet iraniane me dronë në aeroportin e Kuvajtit
Një person është vrarë dhe mbi 60 të tjerë janë lënduar nga sulmet iraniane me dronë ndaj aeroportit ndërkombëtar të Kuvajtit, kanë thënë zyrtarët lokalë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Kuvajtit e quajti sulmin e së mërkurës “agresion kriminal iranian”, ndërsa Ministria e Jashtme tha se disa misione diplomatike janë dëmtuar, raporton televizioni BBC.
Përgjegjësinë për sulmet e mori Roja Revolucionare e Iranit, duke thënë se ato ishin si hakmarrje për sulmet e forcave amerikane ndaj një anijeje iraniane të naftës dhe Ishullit Qeshm. Irani gjithashtu tha se i kishte shënjestruar bazat amerikane në rajonin e Gjirit Persik.
Shtetet e Bashkuara thanë më herët se kishin nisur sulme “vetëmbrojtëse” ndaj Iranit dhe kishin rrëzuar ose penguar raketa të hedhura drejt Kuvajtit dhe Bahrejnit.
Personi që u vra nga sulmi iranian në aeroportin e Kuvajtit më vonë u identifikua si shtetas indian.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Indisë e dënoi sulmin, duke thënë se disa shtetas të tjerë të saj kanë pësuar lëndime.
Pas këtyre sulmeve, Ministria e Jashtme e Kuvajtit urdhëroi dy diplomatë iranianë që të largohen nga vendi brenda 24 orëve si dhe e thirri në takim të ngarkuarin me punë të Iranit.