Një aeroplan luftarak amerikan është rrëzuar në Iran, thonë zyrtarët amerikanë - NACIONALE

Një aeroplan luftarak amerikan është rrëzuar në Iran, thonë zyrtarët amerikanë

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Një aeroplan luftarak amerikan është rrëzuar mbi Iran dhe një operacion i kërkim-shpëtimit është duke u zhvilluar për të gjetur të mbijetuar të mundshëm, i thanë të premten agjencisë “Reuters” dy zyrtarë amerikanë, në incidentin e parë të tillë të njohur që nga fillimi i luftës para rreth pesë javëve.

Pentagoni dhe Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Mundësia që pilotë amerikanë të jenë gjallë dhe në ikje brenda Iranit e rrit presionin mbi ShBA-në në një konflikt që nuk ka siguruar mbështetje nga amerikanët, sipas sondazheve.

Zyrtarët iranianë u kanë bërë thirrje civilëve që të vrojtojnë për të mbijetuar të mundshëm dhe i kanë vërshuar rrjetet sociale me fotografi që pretendohet se shfaqin mbetje të aeroplanit.

Guvernatori i provincës Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmad tha se kushdo që i kap ose i vret pilotët amerikanë “do të lavdërohet në mënyrë të veçantë”, raportoi agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve, ISNA.

Forcat amerikane e kanë shpëtuar njërin nga anëtarët e ekuipazhit të një aeroplani luftarak amerikan që është rrëzuar në Iran, sipas tri burimeve të afërta me çështjen.

Dy nga burimet thanë se piloti është gjallë, në duart e amerikanëve dhe duke marrë trajtim mjekësor, raporton televizioni CNN.

Nuk ishte e qartë se cila ishte gjendja e anëtarit tjetër të ekuipazhit.

Burimet thanë se operacionet e kërkim-shpëtimit ishin duke vazhduar, pasi një aeroplan i tipit F-15E u rrëzua mbi Iran.

Incidenti vjen pas kërcënimit të presidentit amerikan, Donald Trump, se do ta bombardojë Iranin dhe do ta kthejë “në Epokën e Gurit”, përfshirë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe fabrikat e shkripëzimit, përderisa po e shtyn Teheranin që t’i japë fund luftës sipas kushteve të Uashingtonit.

Deri më tani, 13 pjesëtarë të ushtrisë amerikane janë vrarë në konflikt dhe mbi 300 të tjerë janë plagosur, sipas Komandës Qendrore të ShBA-së. Asnjë ushtar amerikan nuk është kapur i gjallë nga Irani.

Lajme të ngjashme