Nisin në Katar bisedimet e reja për armëpushim në Gaza
Një rund i ri bisedimesh për armëpushim në Gaza filloi të enjten pasdite në kryeqytetin e Katarit, Doha, i tha agjencisë “Reuters” një zyrtar i informuar për takimin.
Raportohet se në takimin me dyer të mbyllura ndodhen shefi i spiunazhit izraelit, homologët e tij nga ShBA-ja dhe Egjipti si dhe kryeministri i Katarit, raporton agjencia “Reuters”.
Këto bisedime po zhvillohen në kohën kur Irani dukej se ishte pranë hakmarrjes kundër Izraelit pas vrasjes së kreut të byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran më 31 korrik.
Zyrtarët e Hamasit, që e kanë akuzuar Izraelin për ngecje të procesit të paqes, nuk u bënë pjesë e bisedimeve të së enjtes. Megjithatë, ndërmjetësuesit planifikuan që të konsultoheshin me ekipin negociues të Hamasit me bazë në Doha pas takimit, i tha agjencisë “Reuters” një zyrtar i informuar rreth bisedimeve.
Në delegacionin izraelit përfshihet shefi izraelit i spiunazhit, David Barnea, drejtori i shërbimit për siguri të brendshme, Ronen Bar, dhe shefi ushtarak për pengje, Nitzan Alon, thanë të mërkurën zyrtarët e mbrojtjes.